Gallery

Butrinti


Butrinti_01

Sipas Virgjilit, Butrinti ishte themeluar nga Enea. Sipas Plutarkut, perëndia Pan ka vdekur pikërisht në Butrint dhe çasti i vdekjes se tij, u bë shkak për klithmat e shtojzovalleve, të cilat njoftonin barinjtë anekënd Kaonisë për këtë humbje tragjike për mbrojtësin e pyjeve dhe të luleve. Në fund të viteve 30 të shekullit të kaluar, arkeologu italian Ugolini përmend gojëdhënën mbi zanafillën e largët të Butrintit. Heleni që kishte ardhur në Epir nga Troja, po përgatitej të bënte flijimin ritual pas zbritjes në tokë. Lopa që do t u flijohej perëndive, e goditur, por jo e vrarë, i shpëtoi nga duart dhe kaloi detin me not. Heleni, duke parë këtu një paralajmërim të perëndive, themeloi një qytet që ia vuri emrin Buthrotos. Butrinti ndodhet në një kep të ulët në bregdetin jugperëndimor të Shqipërisë. Kjo qendër rezulton sipas specialistëve të arkeologjisë, të ketë qenë e banuar së paku që në shek. VII para Krishtit. Ndërkohë, mitet flasin për themelimin e Butrintit nga trojanët e shpërngulur. Sipas specialistëve shqiptarë, dhe anglezë të arkeologjisë, rreth shekullit IV, para Krishtit, vendbanimi u fortifikua dhe qyteti u kthye në një qendër kulti dedikuar Asklepit. Periudha mesjetare dokumentohet më e turbullt. Qyteti u përfshi së pari në luftrat për pushtet midis bizantëve e më pas normanëve, anzhuinëve, venedikasve dhe së dyti, në konfliktin midis Venedikut dhe turqve otomanë. Në fillimet e shek. XIX, ai u shndërrua gradualisht në një fshat të vogël peshkatarësh, përreth një fortifikimi venecian, por konturet e monumenteve madhështore të dikurshme flisnin për shuarjen e një shkëlqimi të mëparshëm në këtë qendër urbane ndanë Kanalit të Korfuzit. Butrinti, së bashku me Korfuzin, u blenë nga Republika e Venedikut prej mbretërve anzhuinë të Italisë së Jugut në vitin 1386. Atëherë faza më aktive e qytetit mesjetar ishte shndërruar në një avanpost të fortesave të mëdha në Korfuz. Mbeti pronë e Venedikut për më shume se 400 vjet dhe venedikasit ndërtuan shumë fortifikime ekzistuese, si dhe një kështjellë trekëndore, të rikonstruktuar më pas për qëllime mbrojtjeje dhe kontrolli të Kanalit të Vivarit nga Pashai i Janinës, Ali Pashë Tepelena. Me fuqizimin e Perandorisë Otomane, Butrinti mbeti në vijën e parë të frontit të Venedikut. U pushtua në një numër rastesh, por më i shënuari është marrja e tij nga “Sulejmani i Madhërishëm” në vitin 1537.

By pasuriakulturoreshqiptare

Leave a comment