Gallery

Kështjella e Rozafatit


Kështjella e Rozafatit është e ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese të cilat zenë një sipërfaqe rreth 9 ha. Në periudhën e lashtë muret ishin të stilit poligonal, gjurmë të të cilave ruhen edhe sot. Si qendër e fortifikuar ilire përmendet për herë të parë gjatë sundimit të mbretit Gent dhe historiani Tit Livi e quan “vendi më i fortë i labeatëve”. Kështjella del me emrin Rozafa në periudhën e mesjetës, gjatë së cilës u pushtua herë nga sllavët dhe herë nga bizantinët. Brenda mureve të saj ruhen një sërë mjedisesh si garnizone, depo, një ndërtesë administrative etj.

Sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre. Oborri i tretë, i cili është më i vogël se të tjerët, ndodhet në pjesën më të lartë të kodrës. Në muret dalës të tij, ka të dalura drejtkëndëshe që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm, kullat janë më të dendura. Brenda kështjellës ka disa ambiente që lidhen me një kullë rrethore, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohës veneciane. Oborri i dytë zë pjesën qendrore dhe më të madhe të kalasë duke u ndarë nga oborri i parë me një mur tërthor pa kulla. Brenda tij ndodhen katër depozita për grumbullimet e ujit, katërkëndëshe të mbuluara me qemerë, prej të cilave uji merrej përmes grykave të puseve rrethore. Aty ruhen dhe një depo, një burg si dhe një kishë e kthyer më vonë në xhami. Oborri i parë komunikon me hyrjen kryesore të kalasë, para së cilës në vitet 1407-1416, u ndërtua një oborr i fortifikuar, një sistem paramuresh me kthesa të mprehta që zënë pjesën lindore të kalasë. Oborri përbëhet nga një kullë katërkëndëshe me gjerësi 10 metra dhe gjatësi 20 metra, kati i poshtëm i së cilës është i mbuluar me një qemer cilindrik përshkues që nga hyrja. Në dy anët e kësaj galerie ndodhen nga katër nike të mbuluara me qemer cilindrik.

 

Hyrja për në oborrin e parë

Kati i dytë i kullës përfundon me një tarracë pjesërisht të mbuluar me çati, ndërsa pjesa tjetër ishte rrethuar me një parapet të pajisur me bedena dhe frëngji. Porta mbulohet me një hark sektorial të dyfishtë prej gurësh të punuar, mbi të cilin ndodhet një hark shkarkues gjysmë rrethor prej dy rrathë gurësh të punuar, brenda fushës së të cilit është gdhendur si dekoracion një hark majë lundre me një formë spirance në kulmin e saj. Pas korridorit të kullës ndodhet një oborr i vogël katërkëndësh i kufizuar djathtas me mur. Këtu ndodhen shkallët për në shtegun e rojës. Përballë murit ndodhet porta kryesore e kështjellës dhe anash saj një portë e vogël. Për të hyrë në brendësi të kalasë, duhet të kalosh një korridor në formë L-je, të mbuluar me qemer cilindrik, fundi i të cilit mbyllet nga një portë e dytë. Një pjesë e qemerit është me tulla dhe në kyçin e tij ndodhet një vrimë drejtkëndëshe 40 x 55 cm që shërbente për të hedhur lëndë djegëse të nxehtë mbi kundërshtarin. Përvec hyrjes kryesore, kalaja ka edhe disa hyrje të vogla që shërbenin për manovrimin e forcave në raste rrethimi apo si dalje sekrete.

 

Oborri i parë

Njëra prej tyre, e ndodhur në rrëzë të paramurit lindor, ruhet akoma dhe ka një thellësi rreth 4 metra. Venecianët kanë kryer punime të veshjes së kullave dhe nën këto veshje ka ndërtime që i përkasin periudhës kur sundonin Balshajt. Gjatë riparimeve, anës së jashtme të mureve, iu është dhënë pjerrësi në formë skarpati që arrin deri në gjysmën e lartësisë së tyre. Nga ana perëndimore e kalasë, sipërfaqe të pjerrëta të kodrës shkëmbore janë veshur me gurë të skuadruar. Aty ku veshja e mureve nuk është bërë, dallohen teknikat e vjetra me vendosje copa tullash mes gurëve, ndërsa harqet e dritareve dhe frëngjive janë punuar me tulla të rrethuara me bordurë. Kullat kanë forma rrethore dhe katërkëndëshe, në një lartësi 12-16 metra. Ato janë më të larta në anën e jashtme dhe përbëhen nga një kat i mbuluar me qemer dhe tarraca me parapet të dhëmbëzuar. Hyrja në ambientet e kullave bëhej përmes një porte të hapur në murin e tyre të prapmë, ndërsa lidhja me tarracën bëhej përmes shkallësh të brendshme që përfundonin në tarracë nëpër një baxho katrore me mur anash, ose me shkallë të jashtme guri.

 

Oborri i tretë dhe Muzeu

Kalaja e Shkodrës, me muret dhe kullat e saj të fuqishme, arriti të përballojë dy rrethime të gjata dhe bombardime me artileri të turqve në vitin 1474 dhe 1478-79. Kalaja e Shkodrës është kthyer në një simbol të qytetit të lashtë, i pranishëm në piktura, gdhendje, kartolina, stema, etj.

By pasuriakulturoreshqiptare

Leave a comment