Gallery

Qyteterimi i Komanit ne rrezik


10891681_872653919423178_3368664764185940489_n

MOS TA SHKATËRROJMË QYTETËRIMIN 1500 VJEÇAR TË KOMANIT

Ndoc Selimi
Amazona Hajdaraj

06/01/2015

Njëherë si thashethem dhe së fundi e aprovuar me projekte e dokumenta, potencialin arkeologjik të identitetit shqiptar i quajtur ndryshe “Kultura e Komanit” po e dëmtojmë me duart e mëndjet tona. Më 12 dhjetor 2014 Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, i kryesuar nga Ministrja e Kulturës jep aprovimin për kalimin e trasesë së tensionit lartë OST Shqipëri – Kosovë në mes e paralel me vendbanimin mitik të Komanit ose kodrën e sitit arkeologjik, siç e quajnë specialistët.

“Kultura e Komanit” përfaqëson identitetin kombëtar të shqiptarëve, është nyja lidhëse midis ilirëve dhe shqiptarëve të sotëm, pa të cilën hallkës së zënxhirit dymijëvjeçarë do t’i mungonte vazhdimësia. Zbulimi i këtij qytetërimi mesjetar zë fill qysh në shekullin e XIX e pikërisht më 1898 me rënien në gjurmë të varrezës së lashtë iliro – shqiptare që sot klasifikohet si qendra kryesore e mesjetës për Ballkanin Perëndimor.

Qysh në verën e vitit 1961, kur nisën punimet nga arkeologët shqiptarë si Hëna Spahiu e Skënder Anamali, e deri në ditët e sotme, ku prej shtatë vjetësh vazhdojnë kërkimet shkencore nga ekipi ndërkombëtar i arkeologëve, i udhëhequr nga arkeologia shqiptare Etleva Nallbani (Qëndra Nacionale e Kërkimeve Shkencore franceze, shkolla Franceze e Romës, në bashkëpunim me Institutin arkeologjik të Qëndrës së Studimeve Albanologjike në Shqiperi), varreza a Dalmacës mbi Koman nxori në dritë trupin e një qyteti të heshtur mesjetar.

Cilido shtet i zhvilluar në botë do t’ia kishte zili këtij zbulimi, ndërsa ne me duartë tona po e groposim edhe njëherë. Projekti i kalimit të linjës së tensionit të lartë pikërisht mbi këtë pikë arkeologjike me rëndësi të klasit të parë, bën që interesi ndërkombëtar , kërkimet e mëtejshme të ndërpriten, pasi sipas specialistëve pjesë të caktuara të tij do të shkatërrohen gjatë vëndosjes së shtyllave, gërmimeve, rrugëve të transportit, nga ana tjetër fushat manjetike të krijuara do të bëjnë të pamundur përdorimin e teknikave të tyre bashkëkohore të studimit. Siti arkeologjik nuk është një pikë e vogël, por bëhet fjalë për më shumë se 30 ha (disa varreza, 12 kisha, shtëpi banimi, kalaja, punishte prodhimi etj).

Sipas specialistes Nallbani mbështetja financiare, por dhe shkencore e huaj vjen në rënie, sepse nuk hedh kush para e dije në një vend që vetë ne nuk e mbrojmë. Parashikimi i punimeve arkeologjike do të zgjaste edhe për 20 vjet tjera, derisa të nxirrej në dritë qyteti i nëndheshëm, specialistët studiojnë sa arkeologjinë e sa antropologinë, e sa peisazhin historik apo zoo-arkeologjinë, apo zejet e prodhimit të produkteve të ndryshme. Studentët mësojnë në Koman arkeologjinë mesjetare. Shumë nga të rinjtë e zonës (Komanit, Shën Kollit, Qerretit) punojnë pothujse çdo verë me arkeologët për zbulimin e Dalmaces. Pothuajse të gjithë djemtë e Komanit, kanë marrë pjesë në punime.

Kemi ndjekur ekspozitën e organizuar nga misioni i arkeologëve, me materialet e Komanit, në Muzeun Histotik Kombëtar me rastine 100-vjetorit të pavarësisë. Sa ekspozita të tjera planifikoheshin të organizoheshin me synim propogandimin dhe pasqyrimin më drejtë të historisë së Shqiperise dhe vazhdimësisë iliro – shqiptare, ku në qendër do të ishte Komani e mrekullitë e qytetërimit mesjetar. Në këtë vijim ishte planifikuar të ndërtohej “Muze i gjallë në natyrë”, i cili do të ishte pika më e preferuar për turistët e vendit e të huaj dhe mundësia e punësimit të banorëve përreth reale dhe e siguruar. I gjithë lokaliteti i Komanit dhe përreth ka nevojë për një qendër të tillë arkeologjike. Eshtë bërthama e një turizmi të sigurt.

Ju lutemi nuk është akoma vonë për ndreqjën e një gabimi që do ti kushtojë shtrenjt së ardhmës arkeologjike dhe vendit tonë. Boll të devijoni vetëm një km dhe asgjë nuk do të ndodh.
Le të kujtojmë një emision të organizuar nga Marin Mema në Top – Channel.tv kushtuar këtij zbulimi, që mesa duket e kishte parandjerë fundin e punimeve mbi këtë pikë arkeologjike: “Historia e lashtë, edhe pse në mes indiferentizmit të plotë të shtetit shqiptar, po falë një tjetër perlë që tashmë mbetet për tu parë nëse do të renditet aty ku meriton, apo do të lihet si deri dje në mëshiren e fatit.”(shtator 2012)

Me këtë shkrim, ne si komanas, i drejtohemi Presidentit të Republikës, Kryeministrit, ministrave përkatës, Agjensisë së Shërbimit arkeologjik, intelektualëve, inxhinierëve e gjithë shqiptarëve që të sensibilizohemi e të shpëtojmë këtë vend që na jep identitetin e kombit shqiptar.

By pasuriakulturoreshqiptare

Leave a comment